Sulejman Rexhepi është i vetmi “lider” i cili e ka shijuar nektarin e të gjitha partive dhe të pushteteve. Ka lëvizur prej një prehëri të një partie në prehërin e partisë tjetër, prej një strumbullari të pushtetit në strumbullarin e pushtetit tjetër. Kurse në skenën ndërkombëtare “ka kënduar” aq sa e kanë paguar

 Shkruan Egzona Ahmeti

 

Prej UDB-së në Partinë Komuniste, pastaj nga aty te LSDM-ja, nga këtu e te Partia për Prosperitet Demokratik, nga PPD te DBK-ja, pastaj te PDSH-ja, nga aty te VMRO-DPMNE-ja dhe, nga aty te BDI-ja, nga BDI-ja te Rijaseti i Serbisë i themeluar nga Tomisllav Nikoliqi dhe, pastaj sërish te LSDM-BDI-ja! Kjo është marshuta e Sulejman Rexhepit përgjatë karrierës së tij të dyshimtë e nën petkun e fesë islame.

Fare nuk përton që të deklarohet se dikur e një kohë ka qenë luftëtari i denjë i vehabizmit dhe i lëvizjeve devijante që janë paraqitur në emër të fesë në nënqiellin tonë! Madje se, tërë këtë luftë e paskësh bërë në cilësinë e rojtarit të interesave kombëtare!!!

Në fakt,  rojtarllëku i tij mund të shpjegohet kësisoj: të gjithë në fëmijëri në lagjen e tyre e kanë pasur nga një “boss”, i cili, nuk ka lënë asnjë fëmijë që të futet në stadiumin e lagjes për të luajtur futboll, pa i paguar lekë “boss”-it. Pra, në fushën e Maqedonisë së Veriut kanë mundur të luajnë vetëm ato “ekipe myslimane” që kanë paguar kesh-in e thatë te Sulejman Rexhepi. Kesh-i ka qenë interes kombëtar e fetar i Sulejman Rexhepit.

U krijuan shoqata të ndryshme islame të cilat tashmë direkt sponsorisoheshin nga shtete arabe, të cilët as që denjonin t’ia dinë se a është gjallë diku apo jo Sulejman Rexhepi. Këto shoqata myslimane u rritën e u fuqizuan, nisën me aktivitete të përditshme islame si dhe me botime të literaturave të ndryshme islame. Kjo e nervozonte shumë Sulejman Rexhepin, sepse po ia rudhnin interesin, nuk po rridhte asgjë në kaçepin e tij! Për inat të këtyre lidhet me një nga personat më kontravers arab, me El Fatinejnin me të cilin do të realizojë sërë takimesh, madje edhe në selinë e BFI-së, i cili gjatë luftës së Bosnjes ishte logjistika kryesore e aradhave muxhahedine që luftonin në Bosnjë, pastaj doli që është mik u ngushtë i Bind Ladenit dhe një nga finansiaret e Al Kaedës! Është koha kjo kur për të shpëtuar nga akuzat, do të nisë një luftë të pakompromis kundër “vehabistëve” në Maqedoninë e Veriut, kundër shoqatave myslimane, madje kundër vetë Shtetit të Arabisë Saudite, kundër popullit arab. Do të përpiqet që të ulet në prehërin e iranianëve. Në një përvjetor të organizuar nga Ambasada e Iranit, do t’ju shkojë me gati tërë Rijasetin e BFI-së, si dhe me një grumbull letrash të kota për të cilat thoshte se brenda tyre gjenden projektet e BFI-së që kërkojnë finansim! Pastaj, do të pajtohet me vehabistët, do t’i fusë brenda BFI-së, do t’ju japë kompetenca të mëdha, do t’ju japë bllanko memorandume vetëm e vetëm të sjellin dollarë në BFI! Natyrisht, askush në BFI nuk sjell dhe nuk pranon të sjellë donatorë deri sa të jetë Sulejman Rexhepi. Pastaj do t’i dëbojë nga puna, duke kërkuar nga DBK-ja si dhe nga policia e shtetit që t’i burgosin, duke e alarmuar tërë botën se “ekstremistët” ia kanë uzurpuar katër xhami në Shkup.

“Sande tajms” e datës 20. 03 2010, shkruan se lideri i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, thotë që “grupet radikale të finansuara nga Arabia Saudite” kanë uzurpuar një sërë xhamishë prej të cilave katër xhami qendrore në Shkup. Asnjë nga këta “grupe ekstreme”, në fakt nga ato shoqata myslimane, nuk kanë falimentuar, nuk janë gjykuar, nuk kanë përjetuar ndonjë ndjekje penale, sepse, të gjitha akuzat kundër tyre kanë pasur emëruesin e përbashkët – hidhërimin e Sulejman Rexhepit meqë nuk ia jepnion tallin atij! Këto shoqata po përjetojnë rritje dhe shtim të aktiviteteve, bashkëpunim me institucionet kulturo-arsimore të Shtetit, ndërsa BFI-ja e uzurpuar nga Sulejman Rexhepi gjithnjë e më shumë po e prek fundin e saj.

Më vitin 2015, për t’u rikthyer sërish në skenë, në ndihmë i ftoi pikërisht këto “grupe radikale” dhe, më 16 qershor, të vitit 2015, në një kthinë të një restoranti në Çarshi, që përdorej si vendtakim i Sulejman Rexhepit me qeraxhinjtë e dyqaneve të uruzpuar të BFI-së të cilëve çdo muaj ua merr qeratë,  realizoi takimin e parë serioz me liderët e “këtyre grupeve ekstreme” dhe kërkoi prej tyre që financat, që do të arrijnë t’i marrin nga Arabia Saudite, t’i derdhin në arkën e BFI-së për ta ndihmuar e nxjerrë nga kollapsi, kurse si kundërshpërblim do t’i sinkronizonin aktivitetet nën patronatin e BFI-së!

Natyrisht, Sulejman Rexhepi nuk është në tokë të bukës dhe nuk e ka të qartë se si funksionojnë sistemet bankare, si kryhen transakcionet dhe si mund të realizohen donacionet! Duke qenë tërësisht injorant në këtë sferë finansiare, ai sërish do të hidhërohet me “elementet radikale”, sërish do të kërkojë nga pushteti dhe DBK-ja që të ndiqen e burgosen këta “mjekra” qoftë edhe për një ditë, vetëm që t’ju bëhet e qartë se liria e tyre është në grusht të Sulejman Rexhepit.

Sulejman Rexhepi do të nisë të flasë zi e më zi për Arabinë Saudite, për popullin arab, për civilizimin, kulturën, arsimimin e tyre! Sepse, tashmë po flirtonte me iranianët. Natyrisht, nuk u shit as kjo tentativë naive e Sulejman Rexhepit, prandaj ai sërish do t’ju kthehet arabëve. Për të dëshmuar se ai nuk do t’i ndjek më përmes organeve përkatëse shtetërore, në BFI do ta punësojë një “agjent” të policisë sekrete të Arabisë Saudite, këshillat e të cilit Sulejman Rexhepi do t’i ndjekë një për një.

Sulejman Rexhepi i ngulfatur nga makthi sepse ishte i futur në “listën e zezë” arabe, do të përkrahë Arabinë Saudite që po përballej me akuzat e Turqisë se shërbimi sekret i Arabisë kishte likuiduar mizorisht gazetarin Xhamal Kashogi!

Së fundmi, Sulejman Rexhepi i dërgon letër përkrahëse Mbretërisë së Arabisë Saudite në luftën e saj kundër kërcënimeve që i vinë nga Shteti i Jemenit dhe i Iranit. I garanton Mbretit Saudit se e ka përkrahjen e tij dhe të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut! Nëse do të ketë ndonjë luftë serioze Saudite-Iraniane a do të jetë në gjendje që Sulejman Rexhepi t’ia nisë një kontrigjent ushtarësh për të luftuar krah ushtarëve të Mbretërisë Saudite! A thua do të merret Sulejman Rexhepi me rekrutimin e luftëtarëve të rinj për në një luftë eventuale arabo-iraniane! Gjithësesi që po, sepse këtë publikisht ia ka premtuar Mbretit! “Mbreti” për mbretin?!?

A është kjo tektonika gjeopolitike e Sulejman Rexhepit? Në imagjinatën e tij naive po, ndryshe, fenomenet tektonike kërkojnë truall-skenë për të ndodhur. Kurse, për momentin, Sulejman Rexhepi vegjeton diku nëpër etër, duke grirë pordhë në havan!